Secondary Adv

Pagë e 13 dhe shtesa e përvojës, Qeveria e Kosovës rialokon 102 mln euro

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për rialokimin e 102 milionë eurove në buxhet, ku pjesa kryesore e mjeteve do të përdoret për pagën e 13-të të punonjësve të sektorit publik dhe pagesat retroaktive që lidhen me shtesën për përvojën e punës.

Nga fondet e rialokuara, 20 milionë euro parashikohen për pensionet bazike.


Ministri i Financave, Hekuran Murati, deklaroi se fondet do të mundësojnë mbulimin e pagesave retroaktive për diferencën e shtesës prej 0.5 për qind për përvojën e punës, për periudhën që ka mbetur e pambuluar pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagat.


“Që nga ky vit, me anë të Ligjit për Ndarje Buxhetore e kemi mbuluar shtesën prej 0.5 për qind, mirëpo hapësira e pambuluar që ka mbetur është prej kur ka hyrë Ligji i Pagave në fuqi deri në fund të vitit të kaluar”, deklaroi Murati gjatë mbledhjes së Qeverisë.


20 milionë euro për pensionet bazike

Nga rialokimi janë parashikuar edhe 20 milionë euro për pensionet bazike, me qëllim mbulimin e kostos që vjen nga shtimi i numrit të përfituesve. Sipas Muratit, fondet do të përdoren për të përballuar “rritjen e natyrshme të pensionistëve”.


Paga e 13-të për punonjësit e sektorit publik ishte parashikuar edhe gjatë vitit të kaluar. Ndërkohë, shtesa për përvojën e punës llogaritej në masën 0.5 për qind për çdo vit pune, çka nënkuptonte se një punonjës me 10 vjet përvojë përfitonte një shtesë prej 5 për qind mbi pagën bazë.


Me Ligjin për Pagat të vitit 2022, kjo normë u ndryshua duke u përgjysmuar në 0.25 për qind për çdo vit gjatë 15 viteve të para të përvojës dhe duke kaluar në 0.5 për qind pas vitit të 15-të. Kjo dispozitë është shpallur antikushtetuese nga Gjykata.



Burimi: Ekofin


Më të lexuarat